Të shkruan pikërisht kur mendon se gjithçka ka marrë fund. Reagon ndaj një “story”, të dërgon një mesazh flirtues ose të thotë se duhet patjetër të takoheni. Por sapo ti fillon të mendosh se marrëdhënia po shkon diku, personi tjetër tërhiqet përsëri. Kjo sjellje njihet si “breadcrumbing”, një term që përdoret në botën moderne të takimeve për të përshkruar situatat kur dikush të jep vetëm aq vëmendje sa për të mbajtur gjallë interesin tënd, pa treguar gatishmëri për të ndërtuar një marrëdhënie reale.

Termi vjen nga fjala angleze “breadcrumbs”, pra “thërrime buke”. Ideja është pikërisht kjo: personi të jep vazhdimisht “thërrime” vëmendjeje që të bëjnë të mendosh se mund të ketë diçka më shumë mes jush.

Si mund ta dallosh “breadcrumbing”?

Një nga karakteristikat më të zakonshme është komunikimi i paparashikueshëm. Personi mund të jetë shumë i interesuar për disa ditë dhe më pas të zhduket pa shpjegim. Pas një jave apo edhe disa javësh, rikthehet sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Një tjetër sinjal janë premtimet që nuk shndërrohen kurrë në plane konkrete. Mund të dëgjosh vazhdimisht fraza si “duhet të takohemi”, “më ka marrë malli” apo “do të të marr këto ditë”, por takimi nuk ndodh. Edhe rrjetet sociale mund ta bëjnë këtë dinamikë më të lehtë. Një “like”, një reagim ndaj një fotografie apo një emoji në “story” kërkon shumë pak përpjekje, por mund të jetë i mjaftueshëm për të rikthyer vëmendjen e personit tjetër.

Pse dikush sillet kështu?

Jo çdo rast ka domosdoshmërisht prapa një plan manipulues. Disa njerëz mund të jenë të pavendosur për atë që duan, të kërkojnë vëmendje ose të kenë frikë nga angazhimi. Në raste të tjera, personi mund të dëshirojë thjesht të mbajë një mundësi të hapur. Nuk dëshiron një marrëdhënie me ty në atë moment, por njëkohësisht nuk dëshiron që ti të largohesh plotësisht. Pikërisht kjo e bën “breadcrumbing” kaq konfuz: interesi nuk zhduket plotësisht. Ai shfaqet në doza të vogla dhe të paparashikueshme.

Pse është kaq e vështirë të shkëputesh?

Kur dikush është vazhdimisht indiferent, situata mund të bëhet më e qartë. Por kur vëmendja vjen herë pas here, krijohet shpresa se gjërat mund të ndryshojnë. Një mesazh i papritur pas disa ditësh heshtjeje mund të rikthejë emocionet dhe të bëjë që personi tjetër të harrojë përkohësisht gjithë pasigurinë që ka përjetuar. Kështu mund të krijohet një cikël: distancë, mesazh, shpresë, afrim dhe përsëri distancë.

Çfarë mund të bësh nëse po e përjeton?

Më shumë sesa të analizosh çdo mesazh, shiko modelin e përgjithshëm të sjelljes. A përputhen fjalët me veprimet? A bën plane konkrete? A interesohet vazhdimisht apo vetëm kur ndien se po largohesh?

Një komunikim i drejtpërdrejtë mund të sqarojë shumë më tepër sesa interpretimi i sinjaleve online. Nëse ti kërkon një marrëdhënie dhe personi tjetër ofron vetëm komunikim sporadik dhe premtime të paqarta, është e rëndësishme të kuptosh se çfarë po merr realisht nga ajo lidhje.

Sepse interesi nuk matet vetëm me faktin se dikush rikthehet. Ndonjëherë pyetja më e rëndësishme është: çfarë bën ai pasi rikthehet?