Një lëvizje e papritur nga aktori i famshëm turk, Kıvanç Tatlıtug, ka bërë që emri i tij të jetë sërish në qendër të vëmendjes. Ylli i serialeve të njohura turke ka vendosur të mbyllë llogaritë e tij në rrjetet sociale “Instagram” dhe X.
Ky veprim i ka habitur rreth 5 milionë ndjekësit që kishte në “Instagram”, të cilët janë kuriozë të dinë se çfarë ndodhi që ai mori këtë veprim.
Brenda pak kohësh, rrjetet sociale u mbushën me pyetje dhe spekulime mbi arsyen që e shtyu aktorin të merrte këtë vendim.
Në mediat turke po qarkullojnë disa versione, duke nisur nga dëshira e tij për të qëndruar larg vëmendjes virtuale, deri te mundësia që profilet të jenë mbyllur për arsye teknike apo sigurie. Megjithatë, asnjë prej këtyre hipotezave nuk është konfirmuar.
Sipas burimeve, kur ai është pyetur nga miqtë e tij të ngushtë se pse ka mbyllur “Instagram” dhe X, thuhet se aktori i famshëm ka dhënë një përgjigje shumë të qartë dhe koncize.
“E vendosa se kështu e ndjeva. Nuk ka ndonjë arsye të veçantë apo të rëndësishme”, ka thënë ai.
Ndërkohë, aktori ka qenë prej një periudhe jashtë ekranit televiziv. Në mediat turke është raportuar se ai mund të rikthehet së shpejti përmes një projekti të ri digjital, ku pritet të udhëtojë në vende të ndryshme dhe të sjellë histori që lidhen me gastronominë dhe kulturat lokale. Xhirimet raportohet se mund të nisin në shtator.
I njohur në Shqipëri për rolet e tij në “Gümüş”, “Aşk-ı Memnu”, “Kuzey Güney” dhe “Cesur ve Güzel”, Kıvanç Tatlıtuğ mbetet një nga aktorët më të komentuar të industrisë turke.
Tashmë, fansat presin të mësojnë nëse kjo është vetëm një pauzë nga rrjetet sociale apo një shkëputje e gjatë nga bota virtuale.



