Ylli televiziv, Farrah Abraham, ka bërë një deklaratë provokuese duke rikthyer menjëherë gjithë vëmendjen mbi transformimet e saj të shumta estetike ndër vite.

“Trupi im vlen 1 milion dollarë”, është shprehur 34-vjeçarja, e cila është fotografuar së fundmi pranë pishinës në çatinë e një hoteli në Los Angeles.

E njohur nga reality show-t “Teen Mom” dhe “16 & Pregnant”, Farrah shfaqet e veshur me bikini të guximshme që theksonin linjat e saj tërësisht të transformuara.

Abraham nuk e ka fshehur kurrë faktin se ka investuar shuma të mëdha në pamjen e saj. Sipas deklaratave të 34-vjeçares, ndërhyrjet estetike ndër vite arrijnë në disa qindra mijëra dollarë, duke iu afruar shifrës prej 1 milioni, arsye pse ajo e përshkruan fizikun e saj si një “trup prej një milion dollarësh”.

Ajo ka treguar se transformimi i saj nisi që në moshën 19-vjeçare me vendosjen e implanteve të gjoksit. Ndërsa më pas iu nënshtrua disa ndërhyrjeve të tjera për korrigjime dhe ndryshime.

Në vitin 2013, Farrah kreu edhe rinoplastikë dhe vendosi një implant në mjekër, të cilin më vonë e hoqi pasi nuk ishte e kënaqur me rezultatin.

Gjatë viteve, Abraham ka përdorur gjithashtu injeksione dhe mbushës në pjesë të ndryshme të fytyrës dhe trupit, përfshirë buzët dhe të pasmet. Vetëm për buzët, ajo ka deklaruar se ka shpenzuar rreth 50 mijë dollarë.

Dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Në intervistat e fundit, ajo ka treguar se po konsideron ndërhyrje të tjera si blefaroplastika dhe një lifting i lehtë i fytyrës, të cilat i cilëson si procedura “parandaluese” për të ruajtur pamjen në moshë më të re.

Përtej pamjes, jeta e saj ka qenë shpesh në qendër të polemikave, nga përplasjet ligjore deri te aktivitetet e diskutueshme jashtë televizionit. Megjithatë, ajo vazhdon të mbetet një figurë e ndjekur në rrjetet sociale dhe median rozë.

Së fundmi, Abraham ka ngritur edhe ambicie politike, duke deklaruar se synon të kandidojë për kryetare bashkie në Austin, një lëvizje që vetëm sa shton kontrastin mes imazhit të saj publik dhe aspiratave për të hyrë në politikë.