Një 25-vjeçar që punonte si analist në Goldman Sachs është arrestuar pasi kishte përdorur ChatGPT për të përshkruar një plan të detajuar për rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen e ish-të dashurës së tij 21-vjeçare. Sipas dokumenteve gjyqësore, sistemi i sigurisë së OpenAI identifikoi përmbajtjen kërcënuese dhe çështja iu raportua FBI-së.
I riu, Darren Shida Zhou kishte dokumentuar në bisedat me inteligjencën artificiale vendet që frekuentonte ish-partnerja, interesat e saj dhe mënyrën se si synonte ta sulmonte. Ai dyshohet se kishte planifikuar ta priste jashtë një palestre dhe kishte shprehur edhe fantazi të dhunshme, duke shkruar se nëse ajo nuk do t’i jepte një mundësi tjetër, do ta vriste dhe më pas do të vriste edhe veten.
Sipas autoriteteve, lidhja ishte ndërprerë nga vajza përmes telefonit, pasi ajo kishte frikë nga reagimi i Zhou. Pas ndarjes, ai dyshohet se e kishte shqetësuar vazhdimisht përmes telefonatave, mesazheve dhe rrjeteve sociale, duke përdorur edhe numra të ndryshëm telefoni. Pas sinjalizimit, FBI-ja u vuri në dispozicion hetuesve në Palm Beach të dhënat e komunikimeve, ndërsa përmbajtja e bisedave u konsiderua nga autoritetet si një plan konkret për vrasje. Zhou u arrestua dhe më pas pranoi fajësinë.
Prokuroria e akuzoi për përndjekje, kërcënime me shkrim për vdekje dhe përdorim të një pajisjeje komunikimi për kryerjen e një vepre penale. Gjykata e dënoi me tetë vite provë, duke i ndaluar çdo kontakt me ish-të dashurën dhe posedimin e armëve të zjarrit. Për dy vite ai do të monitorohet edhe përmes byzylykut elektronik. Avokati i tij deklaroi se i riu kishte kaluar një krizë të rëndë të shëndetit mendor, ndërsa Goldman Sachs e ka pushuar nga puna.



