I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Elton Tozaj, për të folur mbi spektaklin më të ndjekur në Shqipëri, “Big Brother VIP”. Ai ka komentuar lojën e banorëve dhe debatet që kanë ndodhur së fundmi mes tyre…

Si e pe dje debatin mes Gertit dhe Laertit?

Dje jam shokuar se më është dukur debat i dy halabakësh lagjesh. Pashë njërin që tentoi të vidhte një prime, Gertin. Njerëzit ecin me idenë që të kopjojnë ata që kanë qenë dikur dhe është shumë e shëmtuar. Një njeri që thotë Laerti është shoku më i mirë, e pastaj thotë që dua t’i çjerr maskën, është e shëmtuar. Nuk besoj se ata përfaqësojnë elitën e aktorëve të teatrit. Ata nuk kuptojnë që aty kanë hyrë për të treguar veten. Është fiks si rasti mes Tokes dhe Ilir Shaqirit në “Big Brother VIP 1”. Fat i madh që Gerti ka rënë me Bernardin dhe Klajdin në këtë televotim dhe shpëton, por në të radhës nuk shpëton.

Po Egli si t’u duk dje?

E lodhshme. Njeriu ka një limit. Xumin e nxori Xumi, Egli të mos marrë meritat që nxori Xumin. Të gjitha ato dramat janë të hiperbolizuara e duhet të thuash ‘stop se na lodhe’.

Në debatin mes Gertës dhe Eglit, kush humbi pikë?

Egli humbi më shumë pikë. Gerta nuk i tha gjë. Dje fitoi Gerta në atë debat. Kishte treguar kujdes për të duke mos e prekur në atë pjesë (të atakut të panikut). Egli filloi duke bërë një luftë me mullinjtë e erës nga hiçi, ishte një delir madhështie.

Ke thënë që motrat Gixhari e kanë ligësinë në ADN…

Kam parë disa sjellje të Gertës që janë të njëjtat me Oltën. Si debati që ka pasur me Rozanën që i ka përmendur babain dhe nënën që nuk jetojnë më dhe kjo është ligësi. Të gjallët me të gjallët dhe të vdekurit me të vdekurit. Të ma përmendin mua një njeri që nuk jeton më, është gjëja më e ulët që mund të bëjë dikush. Gerta nuk shpëton nga ky lloj gjykimi. /Top Albania Radio/