Deputetja amerikane Alexandria Ocasio-Cortez ka bërë të ditur se ka vendosur të ngrijë vezët e saj, me qëllim që të ketë “më shumë kontroll mbi jetën e saj”. 36-vjeçarja e njoftoi vendimin përmes rrjeteve sociale të shtunën. Ocasio-Cortez nuk ka treguar nëse planifikon të ketë fëmijë, por ka bërë të ditur se kishte kursyer para për t’iu nënshtruar kësaj procedure.
Ngrirja e vezëve, e njohur në terma mjekësorë si ruajtja e oociteve, është një nga mënyrat që mund t’i japë një gruaje më shumë kohë për të planifikuar shtatzëninë. Procedura përfshin marrjen e vezëve nga vezoret dhe ruajtjen e tyre deri në momentin kur gruaja vendos t’i përdorë për të tentuar një shtatzëni. Kjo procedurë është bërë dukshëm më e përhapur gjatë dekadës së fundit, ndërsa teknikat mjekësore janë përmirësuar dhe gjithnjë e më shumë gra kanë zgjedhur ta shtyjnë shtatzëninë.
Ocasio-Cortez, demokrate nga Nju Jorku, është pjesë e një grupi figurash të njohura që kanë folur publikisht për vendimin për të ngrirë vezët, mes tyre Kourtney Kardashian, Rebel Wilson dhe Florence Pugh. Ngrirja e vezëve është më efektive kur kryhet në të 20-at ose në fillim të të 30-ave, periudhë gjatë së cilës një grua zakonisht ka një numër më të madh vezësh të shëndetshme.
“Përgjigjja është zakonisht: sa më e re, aq më mirë”, tha Dr. Pardis Hosseinzadeh, profesoreshë e asociuar e gjinekologjisë dhe obstetrikës në Johns Hopkins Medicine. Sipas saj, gratë që i nënshtrohen procedurës para moshës 35-vjeçare zakonisht kanë rezultate më të mira sa i përket cilësisë dhe numrit të vezëve të marra. Me kalimin e moshës, bien si numri, ashtu edhe cilësia e tyre.



