Një vendim i marrë më shumë se dy dekada më parë nga një fermer në Teksas është kthyer sot në qendër të një beteje ligjore dhe zemërimi mes banorëve të zonës. Në vitin 1999, fermeri 87-vjeçar Bland vendosi t’i dhuronte qytetit të Taylor rreth 35 hektarë tokë me një qëllim të vetëm, ndërtimin e një parku ku fëmijët e komunitetit të kishin mundësi të luanin. Për këtë dhurim simbolik, ai mori vetëm 10 dollarë.
Megjithatë, parku i premtuar nuk u ndërtua kurrë. Me kalimin e viteve, prona kaloi nga një organizatë te tjetra, derisa përfundoi në pronësi të institucioneve lokale. Në vitin e kaluar, toka u shit për 10 milionë dollarë një kompanie që planifikon të ndërtojë aty një qendër të madhe të dhënash. Ky zhvillim ka shkaktuar reagime të forta nga banorët, të cilët pretendojnë se toka ishte dhuruar me kusht që të përdorej ekskluzivisht si park publik. Disa prej tyre kanë nisur procese gjyqësore dhe nuk përjashtojnë apelimin e çështjes në instanca më të larta.
Banorja Pamela Griffin, e cila e kishte njohur personalisht fermerin Bland, kujton se ai kishte shprehur vazhdimisht dëshirën që fëmijët e lagjes të kishin një hapësirë rekreative. Sipas saj, ky ishte motivi i vetëm i dhurimit të tokës. Nga ana tjetër, autoritetet lokale argumentojnë se projekti i ri do të sjellë përfitime ekonomike për komunitetin. Sipas tyre, qendra e të dhënave mund të gjenerojë deri në 30 milionë dollarë të ardhura shtesë nga taksat gjatë dekadës së ardhshme, fonde që mund të përdoren për rrugë, parqe, shkolla dhe shërbime të tjera publike. Megjithatë, shumë banorë mbeten kundër projektit, duke shprehur shqetësime për ndikimin që ai mund të ketë në mjedis, zhurmën, konsumin e ujit dhe energjisë, si dhe në vlerën e pronave të tyre.



