Mbrëmjen e djeshme ishte nata finale e Festivalit të Këngës, ku u ndanë edhe shumë çmime. Dy çmimet e rëndësishme u rrëmbyen nga Elsa Lila dhe Albina Kelmendi (e familja e saj). Dikur Lila ka qenë mentorja e Kelmendit në “The Voice of Albania”.

Albina ishte konkurrente në “The Voice 4” dhe zgjodhi Elsa Lilën si trajneren e saj. Albina ishte e përzgjedhura e Elsës deri në netët e fundit, madje shkoi deri në finale ku u rendit e dyta.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, ato triumfuan në “Festivalin e Këngës” duke rrëmbyer dy çmimet kryesore. Elsa Lila u shpall fituese e çmimit të parë, të dhënë nga juria profesioniste. Ajo mori pjesë me këngën “Evita”, dedikuar të bijës.

Albina u rendit e dyta nga juria profesioniste, ndjekur nga 2 Farm me këngën “Atomike”. Kënga e saj, “Duje”, të cilën e këndoi me familjen (prindërit, dy motrat dhe vëllain) ishte më e votuara nga publiku me SMS.

Gjatë momentit të shpalljes së çmimit të publikut, në sallë dëgjoheshin njerëz që brohorisnin emrat e tyre (pra, Elsa dhe Albina), gjë që mund të nënkuptojë se diferenca me vota nuk ka qenë e madhe. Albina do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong 2023.