Një nënë, e cila për vite të tëra ka jetuar me frikën e veshjes së rrobave të banjës në plazh, ka pozuar së fundmi pa asnjë rrobë veshur duke ekspozuar format e saj të kolme.
Ajo është Honey Positano, nga Melburni, e cila nisi të postonte foto me bikini rreth 3 vjet më parë, pas disa pushimeve në Hawaii.
35-vjeçarja tha se vuante nga dismorfia e trupit dhe problemet e imazhit të trupit që kur ishte 12 vjeç. Por tani nuk e ka më problem dhe herë pas here flet në lidhje me format fizike për të ndihmuar gratë e tjera që të ndihen më rehat në lëkurën e tyre.
Teksa mendon për tre vjet më parë, Honey ka thënë se të shkonte me pushime në plazh ishte një “hap masiv” për të. Ajo ka shtuar se ka menduar disa herë që të anulonte udhëtimin sepse ishte aq e frikësuar sa do të ishte “e turpëruar në Honolulu”.
Por, duke folur ekskluzivisht për The Daily Star, mamaja tha se çfarë ndodhi kur ajo u largua, në fakt çoi në ndryshimin e jetës së saj.
“Ajo që ndodhi gjatë pushimeve të mia ishte pikërisht e kundërta. U bë shumë e qartë që në ditën e tretë se i vetmi person që kujdesej se çfarë vishja ose si dukesha – isha unë. Kam ardhur në shtëpi me një mentalitet tjetër. Disa javë pas kthimit në shtëpi, vajza ime gjashtëvjeçare po shikonte veten në pasqyrë dhe foli fjalët ‘Unë jam shumë e trashë’. Vajza ime më bëri të kuptoj se fjalët e mia kanë fuqi dhe për një herë – doja t’i përdorja fjalët e mia ndryshe”, tregon ajo.
Kur erdhi puna për të folur rreth imazhit të trupit, Honey mendoi se “Instagram” ishte një përshtatje e mirë – pasi ndihej si një version modern i një blogu.
Tani ajo përdor llogarinë e saj, ku mburret me mbi 150,000 ndjekës, për të promovuar dashurinë për veten dhe pranimin e trupit. Së fundmi, mamaja ka pozuar nudo për të treguar trupin e saj me gjithë shkëlqimin e tij natyral.