Futbollisti kilian, Jordhy Thompson, ka surprizuar ndjekësit e tij në rrjetet sociale, pasi ka njoftuar fejesën me partneren e tij, Camila Sepúlveda, vetëm tre vjet pasi u akuzua për tentativë vrasjeje ndaj saj. Lojtari, i cili aktivizohet te FC Orenburg në Premier Ligën ruse, publikoi në Instagram disa fotografi nga momenti romantik i propozimit në Sheshin e Kuq të Moskës.
Në postimin e saj, Camila shkroi: “Një shëtitje e vogël në Moskë dhe një ‘po’ për gjithë jetën”. Ndërsa Thompson iu përgjigj: “Të dua, jeta ime. Jam i lumtur që do të ndaj gjithë jetën time me ty dhe me fëmijët tanë”. Çifti ka edhe një djalë të vogël, Valentín, ndërsa në fotografi shfaqej edhe Bruno, djali i Camila-s nga një lidhje e mëparshme. Ata jetojnë së bashku në Rusi që nga fundi i vitit 2024.
Megjithatë, historia e tyre është shoqëruar nga akuza të rënda për dhunë në familje. Në fillim të vitit 2023, u publikua një video ku Thompson dyshohej se ushtronte dhunë ndaj Camila-s, në kohën kur luante për klubin kilian Colo-Colo. Pas denoncimit, ndaj tij u vendos një urdhër ndalimi kontakti. Por sipas prokurorisë në Santiago, në nëntor të vitit 2023 futbollisti dyshohet se e kishte sulmuar sërish partneren dhe kishte tentuar ta mbyste gjatë një debati të dhunshëm. Ai u arrestua dhe u akuzua për “femicid të mbetur në tentativë”, term juridik që në Kili përdoret për tentativën e vrasjes së një gruaje, si dhe për shkelje të vendimeve të gjykatës.
Fillimisht Thompson qëndroi 10 ditë në paraburgim, përpara se masa të zëvendësohej me arrest shtëpie gjatë natës dhe ndalim kontakti. Karriera e tij dukej e përfunduar, por më pas ai arriti një marrëveshje ligjore që i lejoi largimin nga Kili dhe transferimin në Rusi. Klubi rus Orenburg më vonë bleu kartonin e tij për rreth 1 milion paundë dhe i ofroi kontratë deri në vitin 2027. Pavarësisht akuzave të rënda, Camila vendosi të ribashkohej me futbollistin në Rusi dhe në vitin 2025 çifti u bë me fëmijë. Procesi gjyqësor ndaj Thompson vazhdon.



