Një 31-vjeçar humbi kontrollin në një apartament në Capri pasi pa një mesazh që mbërriti në telefonin e të dashurës së tij. E goditi me shuplaka, i dogji rrobat dhe tentoi ta mbyste. Për këtë arsye, burri fillimisht u shoqërua në komisariat dhe më pas në spital, ku iu nënshtrua një TSO-je (trajtim shëndetësor i detyruar). Pasi u lirua, ai nuk u kthye në shtëpi, por shkoi sërish në banesën e gruas. Aty u kap nga karabinierët ndërsa fshihej në dollapin e të dashurës së tij dhe u arrestua.
Gjithçka nisi nga denoncimi i një gruaje 30-vjeçare, e cila më 19 maj telefonoi karabinierët duke treguar se ishte dhunuar nga partneri i saj, një kamerier 31-vjeçar. Burri u identifikua, u ndalua dhe u dërgua në komisariat. Aty ai pësoi një lloj krize nervore, aq sa ushtarët e rendit, duke mos arritur ta qetësonin, e shoqëruan në urgjencën e spitalit më të afërt. Ndërkohë, karabinierët aktivizuan procedurën e “kodit të kuq” për rastet e dhunës dhe e denoncuan atë.
Në spital, një mjek vendosi një TSO, duke diagnostikuar një “intoksikim të dyshuar nga marrja e barnave antipsikotike në dozë jo terapeutike”. Më pas, për 31-vjeçarin u urdhërua transferimi në një strukturë psikiatrike në Napoli. Por në mbrëmjen e 20 majit, ai u lirua nga struktura. Karabinierët e informuan menjëherë të dashurën dhe i këshilluan të mos kthehej në shtëpi. Pak më vonë, gjatë një kontrolli parandalues në banesën e 30-vjeçares, policia e gjeti 31-vjeçarin brenda shtëpisë. Ai kishte hyrë duke thyer xhamin e derës së hyrjes dhe ishte fshehur në dollap duke pritur kthimin e saj. Burri u ndalua sërish dhe u arrestua.



