1.5 miliardë dollarë është vlera që një manjat i tregut të videolojërave në Korenë e Jugut do të duhet ti paguajë ish-bashkëshortes së tij, pas divorcit. Shuma e parave është një rekord për shtetin aziatik. Vendimi u mor nga një gjykatë në Seul. Togat e zeza e urdhëruan Kwon Hyuk-bin, themeluesin e Smilegate që t’i transferojë 35% të aksioneve të kompanisë gruas së tij si pjesë e shpërndarjes së pasurisë martesore.
Aksionet në fjalë vlejnë afërsisht 2.4 trilionë Won, ekuivalente me 1.5 miliardë dollarë. Kjo shifër tejkalon çdo precedent të vendosur më parë në vend për një çështje divorci. Vendimi ka të bëjë me një nga sipërmarrësit më të pasur në sektorin e teknologjisë në Korenë e Jugut dhe nxjerr në pah vlerën e aseteve të akumuluara gjatë martesës dhe kontributet e bashkëshortëve në ndërtimin e pasurisë së familjes.
Gjyqtarët miratuan kërkesën e gruas së Kwon për divorc, por refuzuan kërkesën e saj për kompensim të mëtejshëm për dëmet morale. Sipas vendimit të gjykatës, të dy bashkëshortët duhet të mbahen në mënyrë të barabartë përgjegjës për përkeqësimin dhe shpërbërjen e mëvonshme të martesës. Procedurat ligjore zgjatën për disa vite, ndërsa gruaja ngriti padi në nëntor 2022.
Një nga çështjet qendrore në mosmarrëveshje ishte vlera e aksioneve të Kwon Hyuk-bin në Smilegate. Sipas vlerësimeve të kryera gjatë procedurave, aksionet e sipërmarrësit kishin një vlerë totale prej afërsisht 7.1 trilionë Won. Gruaja e tij argumentoi se ajo kishte luajtur një rol në fazat e hershme të zhvillimit të kompanisë, si dhe kishte kontribuar në menaxhimin e familjes gjatë martesës së tyre, nddaj kishte kërkuar gjysmën e aksioneve të burrit të saj.




