Ish-Zonja e Parë e Koresë së Jugut, Kim Keon Hee, është dënuar me shtatë vite burg, pasi u shpall fajtore për marrje ryshfeti në këmbim të ndikimit të saj politik. Vendimi u dha nga Gjykata Qendrore e Qarkut të Seulit, e cila konstatoi se bashkëshortja e ish-presidentit Yoon Suk Yeol kishte pranuar dhurata luksoze nga biznesmenë dhe zyrtarë, si para ashtu edhe gjatë mandatit presidencial të bashkëshortit të saj.
Sipas gjykatës, Kim përdori pozitën e saj si Zonjë e Parë për të ndërmjetësuar emërime në poste shtetërore dhe për të ofruar favore biznesore. “Ajo e përdori pushtetin e saj si Zonjë e Parë për të siguruar vende pune dhe favore biznesore. Pranoi pa asnjë hezitim ryshfetet, të cilat shumica e njerëzve nuk do t’i shihnin kurrë gjatë jetës së tyre”, deklaroi gjyqtari gjatë shpalljes së vendimit.
Sipas vendimit, vlera totale e dhuratave arrinte në 290 milionë won, ose rreth 189 mijë dollarë. Mes sendeve të sekuestruara përfshihen një çantë Dior, bizhuteri të markave Van Cleef & Arpels, Tiffany dhe Graff, një orë Vacheron Constantin me vlerë 39 milionë won, një pikturë me vlerë 140 milionë won, si edhe sende të tjera luksoze.
Gjykata argumentoi se veprimet e saj dëmtuan rëndë besimin e publikut te paanshmëria e emërimeve në administratën shtetërore. Sipas hetimeve, ndër personat që i ofruan dhurata ishin pronari i një kompanie ndërtimi, i cili kërkonte një post shtetëror për dhëndrin e tij, një pastor që synonte të zgjeronte lidhjet me zyrtarë të lartë, ish-drejtuesi i një universiteti privat dhe drejtori ekzekutiv i një kompanie që tregton qen robotikë, i interesuar të furnizonte ekipin presidencial të sigurisë.



