Një histori e dhimbshme ka tronditur Brazilin, ku dy motra binjake, të lindura të bashkuara në kokë, humbën jetën vetëm pak minuta pasi mjekët përfunduan operacionin kompleks për ndarjen e tyre. Heloísa dhe Helena, 2 vjeç e 7 muaj, kishin lindur me një formë të rrallë të binjakëve të bashkuar në kokë, duke ndarë pjesë të indit të trurit dhe enë të rëndësishme të gjakut.
Vajzat ishin ndjekur prej afro dy vitesh nga ekipi i Hospital das Clínicas në Ribeirão Preto. Gjatë vitit të fundit ato iu nënshtruan katër operacioneve përgatitore, ndërsa ndërhyrja e pestë dhe përfundimtare, e zhvilluar më 15 gusht, zgjati rreth 15 orë. Në operacion morën pjesë më shumë se 50 mjekë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës. Pas ndarjes së plotë, gjendja e të dyja vajzave u përkeqësua me shpejtësi për shkak të paqëndrueshmërisë hemodinamike, që shkakton furnizim të pamjaftueshëm me gjak të organeve jetësore. Sipas ekipit mjekësor, njëra prej vajzave pësoi rënie të fortë të tensionit, ndërsa tjetra rritje të tij.
Të dyja pësuan arrest kardiak. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i rikthyer në jetë, Helena u shpall e vdekur në orën 23:37, ndërsa Heloísa në orën 23:51. Mjekët thanë se organizmi i vajzave ishte veçanërisht i brishtë, pasi gjatë jetës kishin kaluar disa episode pneumonie dhe kishin pasur nevojë për trakeostomi dhe gastrostomi për ushqyerje.
Në tri operacionet e para, kirurgët kishin arritur të ndanin rreth 75 për qind të indeve të përbashkëta të trurit dhe enëve të gjakut. Ndërhyrja e katërt kishte përfshirë vendosjen e zgjeruesve të indeve për të siguruar lëkurën e nevojshme për mbylljen e kafkës pas ndarjes përfundimtare. Babai i vajzave, Amarildo Batista da Silva, falënderoi ekipin mjekësor për përpjekjet e bëra dhe theksoi se, pavarësisht përfundimit tragjik, nuk e konsideronte operacionin një dështim të mjekëve. Heloísa dhe Helena u varrosën më 16 gusht në São José dos Campos, qyteti ku jetonte familja e tyre.



