Skena tronditëse u regjistruan së fundmi në Portland, në shtetin e Oregonit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një 45-vjeçar përplasi një makinë të mbushur me eksploziv në një klub sportiv, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe dëme të mëdha materiale. Autori është identifikuar si Bruce Whitman, ish-punonjës i Multnomah Athletic Club. Ai humbi jetën në vendngjarje, pasi automjeti që drejtonte shpërtheu në hyrje të ndërtesës, pak para orës 03:00 të mëngjesit.

Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur një automjet tip “Nissan” i zi përplaset me forcë në dyert prej xhami të objektit, duke hyrë në hollin e godinës. Regjistrimi ndërpritet pak sekonda përpara shpërthimit, i cili la pas shkatërrime të mëdha, me dëme që llogariten në miliona dollarë. Sipas autoriteteve, makina ishte e ngarkuar me bombola gazi propan dhe mjete shpërthyese të improvizuara. Hetimet paraprake tregojnë se automjeti ishte marrë me qira vetëm pak orë para sulmit.

Fatmirësisht, pavarësisht fuqisë së shpërthimit, nuk pati persona të tjerë të lënduar, pasi ndërtesa ishte pothuajse bosh në momentin e ngjarjes. Familjarët e autorit kanë deklaruar se ai vuante nga probleme të rënda të shëndetit mendor, përfshirë çrregullim bipolar dhe skizofreni. Sipas tyre, pushimi nga puna disa vite më parë nga klubi kishte ndikuar thellë në gjendjen e tij psikologjike dhe ishte kthyer në burim të vazhdueshëm frustrimi.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se 45-vjeçari kishte zhvilluar një obsesion të dhunshëm ndaj klubit dhe anëtarëve të tij, duke bërë më herët kërcënime dhe duke u shfaqur pranë banesave të personave të lidhur me këtë institucion.