Një skandal i ri ka shpërthyer në SHBA, ku një ish-punonjës i JPMorgan është vënë në qendër të polemikave pas pretendimeve se ka përdorur një histori të rreme për të marrë leje nga puna përpara se të ngrinte një padi për abuzim seksual. Sipas raportimeve, 35-vjeçari Chirayu Rana kishte deklaruar se babai i tij kishte ndërruar jetë, duke përfituar ditë pushimi dhe leje të paguara, ndërkohë që më vonë rezultoi se i ati është ende gjallë.
Rana është personi që ka ngritur padinë ndaj drejtoreshës të lartë të bankës, duke e akuzuar për abuzim seksual, diskriminim dhe përdorim të substancave për ta detyruar në marrëdhënie të padëshiruara. Nga ana tjetër, e akuzuara ka mohuar kategorikisht çdo pretendim, duke i cilësuar akuzat si të pavërteta dhe të fabrikuara.
Raportohet se padia është tërhequr për arsye procedurale, ndërsa çështja ka marrë vëmendje të madhe mediatike për shkak të natyrës së rëndë të akuzave dhe zhvillimeve kontradiktore. Burime të afërta me hetimin sugjerojnë se kompania kishte zhvilluar një hetim të brendshëm dhe nuk kishte gjetur prova që mbështesnin akuzat e ngritura.



