I moshuari, Rodolfo Paccagin, ndodhej në pontilin e linjës detare “XLagoon”, që lidh Bibione Pineda me Caorle, kur dy të rinj iu afruan nga pas dhe, pa asnjë debat apo provokim paraprak, e shtynë me forcë në lagunë. Më pas ata u larguan me një automjet ku i priste një bashkëpunëtor i tretë. Sipas mbesës së 80-vjeçarit, ai arriti të shpëtonte duke u kapur pas shtyllave të pontilit, por pësoi plagë në këmbë nga guaskat dhe midhjet e ngjitura në strukturë. Familjarët e kanë cilësuar ngjarjen si një akt të pakuptimtë dhune ndaj një personi të pambrojtur.
Karabinierët e Bibiones identifikuan brenda pak orësh tre të rinjtë, të gjithë rreth 20 vjeç, banues në zonën e Portogruaros dhe të punësuar sezonalisht në Bibione. Për identifikimin e tyre rezultuan vendimtare pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat regjistruan automjetin dhe momentet e sulmit. Sipas hetimeve, para sulmit ndaj të moshuarit, tre të rinjtë dyshohet se kishin kaluar natën duke kryer akte vandalizmi dhe shqetësuar rendin publik në zonën turistike. Ata janë kallëzuar në gjendje të lirë në Prokurorinë e Pordenones, e cila do të përcaktojë akuzat përkatëse.


