Monica Montefalcone dhe vajza e saj, Giorgia Sommacal, të cilat humbën jetën tragjikisht në majin e këtij viti gjatë një zhytjeje në shpellat e atollit Vaavu, në Maldive, do të prehen përgjithmonë në det. Dëshira e tyre ishte që hiri i tyre të shpërndahej në ujërat e Capo Mannu, në Sardenjë, një parajsë detare që e donin shumë. Kështu u bë edhe realitet, kur hiri i Monicës, biologe detare dhe pedagoge universitare dhe i vajzës së saj, Giorgia, u shpërnda në det gjatë një ceremonie prekëse dhe plot emocione.
Monica Montefalcone ishte një eksperte e zhytjes dhe drejtuese e disa prej projekteve më të rëndësishme për mbrojtjen e mjediseve detare. Ajo kishte një lidhje të veçantë me detin e zonës së mbrojtur detare të Sinisit, në provincën e Oristanos, ku kalonte pushimet që në fëmijëri. Mes notit dhe shëtitjeve buzë detit, ajo kishte shprehur dëshirën që, pas kremimit, të prehej përgjithmonë në ato ujëra.
Bashkëshorti i saj, Carlo Sommacal, e bëri të ditur dëshirën e Monicës menjëherë pas humbjes tragjike të saj dhe vendosi ta respektonte atë. “Kanë qenë momente shumë të forta emocionalisht. Tani deti që ato aq shumë e donin do t’i përkundë dhe do t’i ruajë përgjithmonë”, u shpreh ai me vështirësi pas lamtumirës së fundit me bashkëshorten dhe vajzën. Ceremonia mortore e nënë e bijë u zhvillua më 30 maj në Xhenova, ku banonte familja. Megjithatë, për shpërndarjen e hirit në det u desh të pritej përfundimi i afatit të përcaktuar nga legjislacioni rajonal.
Dy zhytëset humbën jetën më 14 maj, së bashku me tre kolegë të tjerë të zhytjes. Trupat e tyre u gjetën brenda një shpelle, në një thellësi prej rreth 60 metrash, në një mjedis veçanërisht të vështirë për shkak të kalimeve të ngushta dhe dhomave nëntokësore. Alarmi u dha pasi pesë zhytësit nuk dolën në sipërfaqe brenda afatit të parashikuar. Operacionet e para të kërkimit u vështirësuan edhe më shumë nga moti i keq dhe kushtet e zonës. Sipas rezultateve të autopsisë, të pesë zhytësit humbën jetën nga anoksia, pra mungesa e oksigjenit.



