Autoritetet kolumbiane kërkojnë ekstradimin e 46-vjeçarit Matthew Foster-Smith, i cili akuzohet se ka dhunuar për vdekje Natalia Villalba dhe më pas ka fshehur trupin e saj në një valixhe. Një mjek britanik është arrestuar në Ekuador, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në lidhje me vdekjen e një modeleje kolumbiane. Matthew Foster-Smith, 46 vjeç, nga Dorset, u ndalua në aeroportin ndërkombëtar të Quito-s, pasi autoritetet kolumbiane kishin lëshuar urdhër arresti dhe njoftim të kuq nga Interpol.
Sipas prokurorëve kolumbianë, Foster-Smith dyshohet se ka hyrë në apartamentin ku qëndronte Natalia Villalba, e ka dhunuar për vdekje dhe më pas ka fshehur trupin e saj brenda një valixheje. Autoritetet pretendojnë se pas ngjarjes ai ka ndërmarrë veprime për të ndryshuar skenën e krimit dhe për t’u larguar nga vendi. Trupi i Villalba-s u gjet nga një pastruese në një apartament në Bogota, brenda një valixheje të vendosur në banjë. Rasti ka tronditur opinionin publik në Kolumbi dhe ka marrë vëmendje të gjerë edhe në mediat britanike.
Hetuesit thonë se gruaja kishte qëndruar në apartament prej disa ditësh, ndërsa familjarët nisën të shqetësoheshin pasi ajo nuk u përgjigjej më telefonatave. Para arrestimit, Foster-Smith kishte mohuar çdo përfshirje në ngjarje, duke pretenduar se nuk kishte lidhje me vrasjen dhe se ishte larguar nga Kolumbia pas kërcënimeve që, sipas tij, kishte marrë nga persona të lidhur me grupe kriminale lokale.
Autoritetet kolumbiane bëjnë me dije se ai kishte kaluar kufirin drejt Ekuadorit përmes urës ndërkombëtare Rumichaca, përpara se të gjurmohej dhe ndalohej në aeroportin e Quito-s. Tashmë pritet nisja e procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt Kolumbisë, ku ai mund të përballet me akuza për femicid të rënduar dhe fshehje apo ndryshim të provave materiale. Autoritetet britanike kanë konfirmuar se po ofrojnë mbështetje konsullore për shtetasin britanik të ndaluar dhe janë në kontakt me autoritetet lokale.



