Në mars të vitit 2022, Eric Richins u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit. Katër vjet më vonë – në mars të vitit 2026 – bashkëshortja e tij, Kouri Richins, u shpall fajtore për vrasje.
Dy muaj më vonë, Kouri u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht. Gjykatësi mori vendimin për t’a dënuar atë me burgim të përjetshëm – për të mbrojtur tre djemtë e saj, të cilët të gjithë kërkuan dënimin më të ashpër.
“Kam frikë se nëse ajo del, do të vijë pas meje dhe vëllezërve të mi, të gjithë familjes sime. Mendoj se do të vijë të na marrë dhe nuk do të na bëjë gjëra të mira, si të na lëndojë”, tha djali më i madh i Kourit, C.R., shkruan PEOPLE.
“Nuk dua që nëna ime të dalë nga burgu sepse nuk do të ndihem i sigurt nëse është jashtë”, tha fëmija i mesëm A.R., duke shtuar: “Me të në burg, do të jem në gjendje të vazhdoj të ndihem i sigurt dhe të jetoj një jetë të lumtur dhe të suksesshme pa frikë se mos më lëndon mua ose këdo që dua”.
Djali më i vogël, W.R., shtoi: “Nëse do të dilte, do të isha shumë i frikësuar.”
Të tre djemtë ishin nën moshën 10 vjeç kur ndodhi ngjarja e rëndë. Në vitet që nga arrestimi i Kourit, familja e Eric mori kujdestarinë e fëmijëve të saj, të cilët tani po hyjnë në vitet e adoleshencës.
Sipas “48 Hours”, Kouri dhe Eric kishin pasur probleme në marrëdhënie dhe për të mbrojtur financiarisht djemtë e tyre, ai e vendosi pasurinë e tij në një fond të fshehtë pa i thënë bashkëshortes së tij. Ai emëroi motrën e tij, Katie Richins-Benson, si administratore.
Kur vdiq Eric, ai kishte “të paktën gjashtë polica sigurimi jete”, që arrinin në total gati 3 milionë dollarë.

