Një vendim gjykate ka shkaktuar reagime të mëdha në SHBA, pasi Kouri Richins, autorja e një libri për fëmijë mbi përballimin e dhimbjes pas humbjes së një të afërmi, është dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht për vrasjen e bashkëshortit të saj. Një juri në muajin mars e shpalli 36-vjeçaren fajtore për helmimin e bashkëshortit të saj, Eric Richins, në vitin 2022, duke i dhënë atij një pije të përzier me fentanil.
Gjatë gjyqit që zgjati disa javë, prokurorët deklaruan se Kouri Richins kishte grumbulluar miliona dollarë borxhe, kishte marrë polica sigurimi jete në emër të bashkëshortit dhe po mbante një lidhje jashtëmartesore. Sipas tyre, ajo besonte se pas vdekjes së tij do të trashëgonte një pasuri prej mbi 4 milionë dollarësh. Gjykatësi Richard Mrazi, gjatë shpalljes së vendimit deklaroi se një person i dënuar për këto krime është thjesht shumë i rrezikshëm për të qenë ndonjëherë i lirë.
Në seancën gjyqësore, Richins foli për rreth 30 minuta, kryesisht duke iu drejtuar tre fëmijëve të saj. “E di që sot nuk doni të flisni me mua dhe më urreni. Është në rregull. Kur të jeni gati, unë do të jem këtu për ju,” tha ajo.
Përveç vrasjes së bashkëshortit, Richins u shpall fajtore edhe për mashtrim me siguracionet pas vdekjes së tij, si dhe për një tjetër tentativë vrasjeje. Ajo u arrestua në mars të vitit 2023, vetëm dy muaj pasi publikoi librin për fëmijë “Are You With Me?”, i cili synonte të ndihmonte familjet dhe fëmijët të përballonin humbjen e një personi të dashur. Libri ishte dedikuar bashkëshortit të saj, të cilin ajo e përshkruante si një bashkëshort të mrekullueshëm dhe një baba fantastik.




