Një ngjarje tronditëse ka përfunduar në gjykatë në Oklahoma të SHBA-së, ku një grua ka paditur zinxhirin e njohur të fast-food-it Arby’s, pasi pretendon se është infektuar me herpes oral nga një ish-menaxhere e restorantit, e cila dyshohet se i ka pështyrë qëllimisht ushqimin. Sipas padisë civile, Jennica Church kishte ndaluar në një pikë Arby’s në qytetin Broken Bow, në fund të muajit mars, për të marrë ushqim për familjen e saj pas një nate të gjatë pune. Ajo vuri re se porosia po vonohej dhe mendoi se punonjësit ishin irrituar, pasi restoranti ishte drejt mbylljes.

Në atë kohë, menaxhere e turnit ishte Amanda Hendricks, 38 vjeçe, e cila njihte Church dhe kishte pasur më parë mosmarrëveshje të vogla me të. Padia pretendon se Hendricks, gjatë përgatitjes së porosisë, pështyu me qëllim mbi mishin dhe përbërësit e sanduiçit, ndonëse ishte në dijeni se ishte e infektuar me virusin HSV-1 (Herpes Simplex Virus Type 1), i njohur si herpesi oral. Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo kishte edhe shenja të dukshme të një shpërthimi aktiv të infeksionit në momentin e ngjarjes.
Pasi mori ushqimin në shtëpi, Church e ndau atë me bashkëshortin, fëmijët dhe familjarë të tjerë, përfshirë gjyshen e bashkëshortit, e cila ndodhej në kujdes paliativ për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Pak kohë më vonë, Church nisi të shfaqte plagë në buzë, të cilat nuk i kishte pasur më parë. Pas vizitës te mjeku, analizat konfirmuan se ishte infektuar me herpes oral (HSV-1). Gruaja dyshoi se burimi i infeksionit ishte ushqimi, pasi, sipas saj, Amanda Hendricks kishte mburrur persona të tjerë në qytetin e vogël se kishte pështyrë në porosinë e saj. Padia pretendon gjithashtu se kamerat e sigurisë së restorantit e kanë filmuar ish-menaxheren duke pështyrë mbi përbërësit e sanduiçeve përpara se t’ua dorëzonte klientëve. Familja akuzon stafin e restorantit se u përpoq të fshihte ngjarjen dhe madje u ofroi sanduiçe falas si “kompensim”, ndërsa një prej familjarëve pretendon se iu ofruan vetëm 5 dollarë për incidentin.

Avokati i familjes deklaroi se punonjësit e pranishëm ishin në dijeni të asaj që kishte ndodhur, por nuk ndërhynë për të parandaluar shpërndarjen e ushqimit të kontaminuar. Ndërkohë, Amanda Hendricks është akuzuar penalisht për helmim të ushqimit me qëllim dëmtimin e një personi. Familja Church kërkon dëmshpërblim për shpenzimet mjekësore, dhimbjet fizike dhe dëmin emocional, ndërsa kompania Arby’s nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me çështjen.