I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Drini Zeqo, i cili ka bërë një bisedë pa filtra mbi dashurinë, karrierën dhe jo vetëm…
Duke folur për vdekjen dhe për humbjen e babait, Drini u shpreh:
“Për ta përmbyllur këtë pjesën e vdekjes dhe se pse unë e kam këtë raport, më është krijuar për shkak të humbjes shumë të parakohshme dhe komplet aksidentale të babait. Unë kam qenë 35 vjeç, babi ishte 56”.
Pjesë nga intervista:
Tu desh kohë që ta pranoje humbjen e babait?
M’u desh pak kohë që ta asimiloja, sepse e humba pa u ndarë dot komplet fare nga një hemorragji cerebrale. Ai nuk vuante nga asgjë, ishte tërësisht i shëndetshëm, tërësisht në formë. Jetonte shumë mirë jetën e tij, me karrierë të mirë dhe imagjino një njeri që ikën kështu nga jeta, për djalin është një humbje shumë e madhe. Më ka lodhur shumë ai moment, mezi e kam kaluar por e kalova. Dhe mendoj se kur humb një nga dy prindërit, por humbja e babait është… Mendoj që ndryshon shumë shpejt brenda natës. Ndarja nga jeta nuk është normale, nuk është e asimilueshme, por kur ndodh në mënyrë kaq të prerë, të beftë, kaq të hershme, të krijon një lloj…
Gjatë këtyre viteve që kanë kaluar, e ke ndierë ndonjëherë prezencën e babait tënd në mënyra të ndryshme?
Ka momente që e kërkoj. E kërkoj prezencën e tij për të dhënë përgjigje për shumë gjëra që unë nuk i jap dot vetë përgjigje dhe mendoj që në një formë apo në një tjetër, më jep. Ka raste që më mungon aq shumë dhe kur më mungon aq shumë, e vetmja gjë që mund të bëj është të shkoj ta vizitoj atje ku është. Por edhe këtë e evitoj herë pas here sepse kur shkoj në varreza kam një ndjesi tmerrësisht të keqe, këputem shumë, më merr shumë energji ai momenti i të qëndruarit para një varri. Kështu që përpiqem të gjej një të mesme të artë. Por unë mendoj se nuk duhet të ndahemi përjetësisht nga të vdekurit. /TAR/



