Gazetari i njohur, Drini Zeqo, ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka bërë një bisedë pa filtra për dashurinë, karrierën dhe jo vetëm.

I pyetur se kush i ka vendosur emrin, Zeqo u përgjigj duke thënë se ia ka vendosur gjyshi nga babi. Gazetari shtoi se në familjen e tij, të gjithë kanë emra shqiptarë.

“Sa qejf që më pyet për këtë gjë, sepse më pyesin për emrin por nuk më pyet asnjeri se kush ma ka vendosur. Ma ka vendosur gjyshi nga babi. Nuk ka një arsye me prejardhjen tonë, sepse nuk jemi nga zonat që rrjedh Drini. Ne jemi nga Korça me origjinë, babi im ka lindur në Tiranë dhe unë kam lindur në Tiranë. I pëlqente si emër, ne të gjithë kemi emra shqiptarë në familje, motra ime e ka Bora, babai quhet Ilir, nëna Irena. Përgjithësisht emra shqiptarë dhe mendoj se gjyshi e ka dashur këtë lidhjen me emrat shqiptarë”, u shpreh ish-banori i edicionit të tretë të “Big Brother VIP”.

Më pas moderatori i njohur e pyet ‘ke ndonjë lloj ndjesie kur shkon në lumin Drin?’ dhe gazetari u përgjigj:

“Po, e kam dhe kjo është e çuditshme si qasje. Unë mendoj që emri na identifikon. Me kalimin e viteve, ndërsa rritemi dhe na formohet personaliteti, karakteri, qenia jonë, emra të caktuar ndikojnë në këtë proces, na formësojnë, na trajtëzojnë bukur. Për shembull njerëzit që kanë emrin Guxim, janë guximtarë, ose emrat e maleve, emrat e lumenjve, emra që kanë një dimension të fortë, janë po ashtu njerëz që prezantojnë një lloj force. Për lumin Drin është ndjesi e bukur”.

Drini më pas shtoi se ndjesia më e bukur është kur takon njerëz që kanë të njëjtin emër dhe të njëjtin mbiemër. Madje ai tregoi edhe një histori me një prokuror që quhet Drini Zeqo dhe posta i kishte dërguar gazetarit një dosje të tij.

“Ka një prokuror që quhet Drini Zeqo. Nuk e kam treguar kurrë publikisht, por me disa miq të mi e kam ndarë, edhe me kolegët e kronikës. Kur Drini po bënte letrat për prokuror dhe po bënte gjithë procesin e vetingut, dosja e këtij voluminoze vjen një ditë në Klan, ku unë punoja. Dhe të gjithë filluan të më uronin dhe thanë çne ti me letrat për prokuror. I thashë që nuk është e imja, është Drin tjetër dhe i them postës që kanë ngatërruar adresë. E marrin këtë dosje dhe ia çojnë Drinit tjetër. Sikur të mos mjaftonte kjo, kur u bënë letrat dhe Drini prokurori e kaloi vetingun, doli emri i publikuar. Filloi një lukuni mesazhesh, urimesh. Perla ishte kur filluan të afroheshin ca njerëz që donin të më takonin… Nuk e kam takuar ndonjëherë, por nëse e dëgjon këtë intervistë, do t’i thoja që me kënaqësi do e kishim pirë një kafe me Drini Zeqon. Nuk ia di atësinë, por ekziston një Drini Zeqo në Tiranë dhe është prokuror”, tregoi gazetari Drini Zeqo.