Një 39-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, është vrarë tragjikisht në Delaware të SHBA-së, pasi një 74-vjeçar e qëlloi me armë zjarri, duke e ngatërruar me një dre. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes, më 18 shtator, në zonën e Ellendale. Viktima është identifikuar si Santos Maria Chilel Soto, banore e Georgetown, ndërsa për ngjarjen është arrestuar 74-vjeçari Walter Moorhead, nga Salisbury, Maryland.

Sipas Policisë Shtetërore të Delaware, rreth orës 19:40, Soto po ecte në një fushë të hapur së bashku me një burrë dhe dy fëmijë. Në të njëjtën kohë, Moorhead ndodhej në një strukturë të ulët të kamufluar, të përdorur nga gjuetarët për t’u fshehur dhe po gjuante dre. Nga hetimet paraprake dyshohet se 74-vjeçari besoi se kishte parë një dre dhe qëlloi me pushkën e tij. Plumbi, megjithatë, goditi 39-vjeçaren. Policët që mbërritën në vendngjarje i dhanë ndihmën e parë gruas dhe më pas ajo u transportua në një spital lokal. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Soto u shpall e vdekur.

Moorhead u gjet në vendngjarje dhe hetuesit përcaktuan se ai ishte personi që kishte qëlluar. 74-vjeçari u arrestua dhe çështja iu kalua Njësisë së Vrasjeve të Policisë Shtetërore të Delaware. Ai akuzohet për vrasje nga pakujdesia, mbajtje të armës së zjarrit gjatë kryerjes së një krimi dhe tre akuza për rrezikim të shkallës së parë. Pas arrestimit, Moorhead u lirua kundrejt një garancie prej 43 mijë dollarësh, ndërsa hetimi për rrethanat e plota të ngjarjes vijon. Sipas mediave amerikane, Santos Maria Chilel Soto ishte nënë e pesë fëmijëve dhe me origjinë nga Guatemala. Pas vdekjes së saj është hapur një fushatë online për mbledhjen e fondeve, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe transportimin e trupit të saj drejt Guatemalës.