Portieri 40-vjeçar, Vozinha, i cili u shpall lojtari i ndeshjes pasi bëri shtatë pritje në barazimin 0-0 të skuadrës së tij kundër Spanjës, ishte në lot gjatë përfundimit të ndeshjes.

Shkak ishte mungesa e nënës së tij në stadium. E ëma e heroit më të fundit të Kupës së Botës të Kombëtares së Kepit të Gjelbër, nuk mundi që të përjetonte nga stadiumi emocionet e një takimi ku i biri ishte protagonist absolut. Ajo nuk kishte mundësi që të paguante vizën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë detaj prekës e ka treguar vetë Josimar “Vozinha” Dias në fund të një dueli, i cili e ka kthyer në një “atraksion” të vërtetë. Përpara ndeshjes debutuese në Botëror, portieri numëronte jo më shumë se 50.000 mijë ndjekës në “Instagram” edhe pse është prej 13 vitesh portier i parë i kombëtares afrikane. Sot ai numëron mbi 5.8 milionë ndjekës.

Në janar, qeveria amerikane shtoi Kepin e Gjelbër në listën e vendeve, qytetarët e të cilave duhet të depozitojnë një garanci të kthyeshme deri në 15,000 mijë dollarë përpara se të udhëtojnë për në SHBA, përveç tarifës së vizës. Si rezultat, nëna e “Vozinhas” nuk mundi ta plotësonte aplikimin e saj.

“U përlota sepse u rrita me gjyshërit e mi dhe për fat të keq ata nuk ishin këtu, kanë ndërruar jetë disa vite më parë”, tha heroi i ndeshjes Spanjë-Kepi i Gjelbër.

“Ata ishin gjithçka për mua, për jetën time. U përlota gjithashtu sepse mamaja ime nuk arriti të vinte këtu për shkak të vizës. Për shkak të parave që kishim për të paguar për vizën, nuk arritëm ta kryenim në kohë. Do të doja që ajo të ishte këtu, por jam gjithashtu shumë i lumtur”, tha 40-vjeçari.