Eros Ramazzotti do të mungojë për një periudhë në skenë. Këngëtari italian ka kaluar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale në kordat vokale, por rikuperimi i kërkuar nga mjekët ka bërë që ai të shtyjë planet e tij muzikore. Artisti ka njoftuar fansat për situatën përmes rrjeteve sociale, duke bërë të ditur se gjendja e tij është e mirë, por se duhet t’i përmbahet një programi të detajuar rehabilitimi përpara se të rikthehet në performancat live.

Për këtë arsye, pjesa e turneut “Una Storia Importante World Tour” që përfshinte Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Amerikën Latine nuk do të zhvillohet sipas planifikimit fillestar. Ramazzotti pritej të niste koncertet në Amerikën e Veriut më 16 tetor, me ndalesa në qytete si Toronto, Boston, New York, Chicago, Miami dhe Los Angeles. Më pas, turneu do të vijonte edhe në disa vende të Amerikës Latine, mes tyre Meksika, Kolumbia, Kili dhe Brazili.

Në mesazhin e tij, këngëtari falënderoi fansat për mbështetjen dhe mesazhet e shumta që ka marrë pas ndërhyrjes. Ai u shpreh optimist për rikthimin, duke premtuar se do të takohet sërish me publikun në vitin 2027. Tashmë, fansat e Eros Ramazzottit do të duhet të presin edhe pak për ta parë sërish në skenë, ndërsa artisti përqendrohet te rikuperimi dhe rikthimi i plotë i zërit.