Edhe pse pasuria e tij vlerësohet në rreth 900 miliardë dollarë, Elon Musk ka zgjedhur për momentin një mënyrë shumë më modeste jetese. Njeriu më i pasur në botë po fle prej disa kohësh në një kamper pranë qendrës së tij të inteligjencës artificiale në Tennessee. Musk e ka quajtur kamperin e tij të tipit “Airstream” “pallati” i ri, gjatë një paraqitjeje në podcastin “All-In”. Arsyeja e kësaj zgjedhjeje është dëshira për të qenë sa më pranë punimeve për zgjerimin e qendrës së të dhënave të xAI në Memphis.
Gwynne Shotwell, drejtuese e SpaceX, tha se kjo sjellje nuk është e pazakontë për Musk. “Ky është Elon. Ai bën gjëra që njerëzit nuk besojnë se i bën. Fle në dyshemenë e fabrikës dhe ndihmon në ndërtimin e ndërtesave”, u shpreh ajo.
Qendra xAI Colossus në Memphis përmban një numër të madh kompjuterësh me performancë të lartë, të cilët përdoren për trajnimin e chatbot-it Grok. Ndërtimi nisi në vitin 2024, ndërsa faza e parë u përfundua në vetëm 122 ditë. Kjo nuk është hera e parë që Musk heq dorë nga luksi për t’u përqendruar te projektet e tij. Ai ka fjetur më parë në zyra, nën tavolinën e punës dhe në dyshemetë e fabrikave gjatë periudhave intensive në kompanitë e tij. Kontrasti mbetet i madh: pasuria e Musk vlerësohet në rreth 900 miliardë dollarë, ndërsa ai aktualisht ka zgjedhur të qëndrojë në kushte shumë më të thjeshta pranë projektit të tij të inteligjencës artificiale.



