Një ngjarje e rëndë ka tronditur Britaninë e Madhe, ku një nënë dhe dy fëmijët e saj janë gjetur të pajetë brenda banesës së tyre në Great Denham, pranë Bedfordit. Sipas policisë së Bedfordshire, autoritetet hynë me forcë në banesë pasi familja nuk ishte parë prej disa ditësh. Pas zbulimit të trupave, është nisur një hetim për vrasje.

Policia dyshon se autori i ngjarjes është një person i njohur për familjen, i cili besohet se është larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Hetuesit u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë parë ose dëgjuar diçka të dyshimtë, veçanërisht në zonën e Carnoustie Drive gjatë së premtes ose të shtunës, të kontaktojnë menjëherë policinë.

“Çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë i rëndësishëm për hetimin. Jemi në fazat e para të një hetimi shumë kompleks dhe po angazhojmë të gjitha burimet e nevojshme për të zbardhur ngjarjen dhe për të gjetur personin përgjegjës,” deklaruan autoritetet. Në vendngjarje janë vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi nga banorët e zonës. Një grua, e prekur nga tragjedia, u shpreh se viktima ishte “një nënë e mrekullueshme”.

Policia bëri të ditur se identiteti i viktimave dhe i personit të dyshuar nuk do të publikohet derisa të përfundojë procesi zyrtar i identifikimit. Ndërkohë, është shtuar prania e forcave të rendit në zonë, megjithëse autoritetet theksojnë se nuk ka indikacione për një rrezik më të gjerë për publikun.