Një prej yjeve më të mëdha të muzikës botërore ka festuar një ditë më parë 45 vjetorin e lindjes. Është fjala për Beyonce, e cila ka marrë urime të shumta me rastin e ditëlindjes.
E ëma, Tina Knowles, ka ndarë në rrjetet sociale një dedikim mjaft të ëmbël dhe prekës për të bijën.
Në llogarinë e saj personale në “Instagram”, Tina Knowles publikoi një fotografi të realizuar në maternitet, ku shfaqet Beyonce e sapolindur në krahët e saj.
Nëna e këngëtares së famshme rikujtoi momentin e parë kur pa të bijën, duke e përshkruar atë si një nga çastet më të lumtura të jetës së saj.
Në të njëjtën kohë, ajo shprehu krenarinë për gruan që Beyonce është bërë ndër vite, duke theksuar se, pavarësisht vështirësive dhe “zhurmës” që e rrethon, ajo vazhdon të krijojë, të mbështesë të tjerët dhe të ecë përpara.

“E kujtoj këtë ditë 45 vjet më parë. U deshën nëntë orë që të vije në jetë. Ndërsa unë, në këtë fotografi, jam e rraskapitur, por në të njëjtën kohë më e lumtur se kurrë më parë deri në atë moment të jetës sime, më 4 shtator 1981. Këtu po shohim njëra-tjetrën në sy për herë të parë. Lidhja është kaq e fortë, kaq e bukur dhe kaq e fuqishme. Ajo nuk është thyer kurrë dhe nuk do të thyhet kurrë”, shkroi ajo, duke kujtuar ditën kur lindi vajza e saj.
Duke shprehur krenarinë për të bijën, Tina Knowles shtoi:
“Mes të gjitha gjërave të bukura që ke, ajo që dua më shumë është zemra jote e madhe. Për këtë jam më krenare se për çdo gjë tjetër. Mbi të gjitha, ti je një njeri i jashtëzakonshëm. Dhe pavarësisht gjithë asaj zhurme, ndonjëherë të tmerrshme, që të rrethon, ti vazhdon të ecësh përpara. Të krijosh, të duash, të mbështesësh vazhdimisht të tjerët, të shkruash historinë dhe të përdorësh atë mendjen tënde gjeniale, duke punuar pa pushim dhe duke u përqendruar te puna jote…”.


