FIFA ka vendosur të sjellë një risi të rëndësishme në ceremoninë para ndeshjeve të Kupës së Botës 2026, duke i dhënë fund një prej traditave më të njohura të futbollit ndërkombëtar. Sipas formatit të ri të prezantuar nga organizmi më i lartë i futbollit botëror, lojtarët nuk do të rreshtohen më në dy rreshta paralele gjatë ceremonisë zyrtare para fillimit të takimeve.
Në vend të kësaj, të dyja skuadrat, së bashku me futbollistët zëvendësues dhe stafet teknike, do të pozicionohen në formë rrethi në gjysmën e tyre të fushës. Më pas do të luhen himnet kombëtare, ndërsa në secilën gjysmë të fushës do të shpalosen flamuj gjigantë të vendeve pjesëmarrëse.
Ndryshimi synon t’i japë ceremonisë një pamje më moderne dhe më spektakolare për tifozët në stadium dhe për audiencën televizive në mbarë botën. Formati i ri do të debutojë në ndeshjen hapëse të Botërorit 2026 dhe pritet të jetë pjesë e të gjitha takimeve të turneut, duke shënuar një epokë të re në mënyrën se si prezantohen kombëtaret para nisjes së ndeshjeve.



