Vetëm tre vite pasi fitoi rreth 11 milionë euro në një marrëveshje gjyqësore me gjigantin e ushqimit të shpejtë McDonald’s, Princesha Carla von Hessen është rikthyer në qendër të një beteje ligjore. Këtë herë, shuma është shumë më e vogël, por çështja lidhet me një person të afërt të familjes së saj: motrën.
Pas vdekjes aksidentale të ish-bashkëshortit të saj, Otto von Hessen, në vitin 2020, Carla u përfshi në një konflikt të gjatë ligjor me McDonald’s për katër restorante në Ingolstadt të Bavarisë. Përplasja përfundoi në vitin 2023 me një marrëveshje në Gjykatën e Lartë Rajonale të Mynihut, sipas së cilës princesha përfitoi rreth 11 milionë euro, ndërsa kompania rimori kontrollin e restoranteve.
Tashmë, sipas çështjes së raportuar, princesha kërkon nga motra e saj kthimin e një borxhi prej 30 mijë eurosh. Padia familjare vjen në një moment kur Carla von Hessen është përballur edhe me procese të tjera civile, këtë herë nga ish-avokatët e saj, të cilët kanë kërkuar pagesën e tarifave për përfaqësimin gjatë konfliktit me McDonald’s.
Në një tjetër proces, një prej avokatëve kërkoi rreth 48 mijë euro, por palët arritën marrëveshje për 24 mijë euro. Një avokat tjetër kërkoi rreth 21 mijë euro dhe përfundimisht u ra dakord për pagesën e 15 250 eurove. Të dyja çështjet u mbyllën me marrëveshje.



