Një grua ka mbetur e shokuar pasi është zgjuar nga operacioni i gjoksit, ku zbuloi se tatuazhet e saj ishin zhdukur plotësisht. Aleigha Cartmen është shprehur se e kuptoi këtë vetëm pasi partneri i saj ia tregoi.

“Daily Star” shkruan se momenti i papritur erdhi pas një procedure kozmetike jashtë vendit. Video e saj e postuar në “TikTok”, që atëherë ka mbledhur më shumë se 749.700 shikime.

“As nuk e vura re në fillim”, ka treguar 23-vjeçarja, e cila jeton në Kanada, duke shtuar: “Ishte i dashuri im që më tregoi”.

Aleigha udhëtoi për në Turqi për një zvogëlim të gjoksit, pasi kishte një vit që e dëshironte një procedurë të tillë. E teksa e dinte se lëkura e tepërt do të hiqej, ajo pranon se tatuazhet e saj nuk ishin përparësi në atë kohë.

“Isha më e përqendruar te procedura”, shpjegoi ajo dhe shton:

“Kur u pashë në pasqyrë paraprakisht, nuk mund t’i shihja dot për shkak të gjendjes së barkut tim. Kështu që kur u zgjova, nuk e kuptova që ishin zhdukur. Kur e vura re, u habita më shumë sesa u mërzita. Unë dhe kirurgu madje qeshëm për këtë sepse nuk e kisha vënë re fare”.

E reja i kishte bërë tatuazhet kur ishte adoleshente dhe është shprehur se tashmë është pajtuar me humbjen e tyre.

“I çmoja shumë, por mendoj se kishte ardhur koha që të hiqeshin”, ka thënë 23-vjeçarja, e cila ka rrëfyer se operacioni i ka ndryshuar jetën:

“Jam shumë e lumtur me pamjen time të re. Është shumë më pak stres për shpinën time dhe i përshtatet trupit tim shumë më mirë”.

 Para procedurës, ajo luftonte çdo ditë me dhimbje dhe shqetësime:

“Ishte shumë e vështirë të flija me gjithë atë presion. Kisha irritim të vazhdueshëm nën gjoks, dhe madje edhe ngjitja e zbritja shkallëve ishte e dhimbshme”.