Dy ish-banorët e “Big Brother VIP 5”, Brikena Selmani dhe Mateo Borri, duket se po shijojnë një periudhë më të qetë në marrëdhënien e tyre, pas disa ulje-ngritjeve që kanë shoqëruar lidhjen e tyre muajt e fundit.

Së fundmi, Brikena ishte e pranishme në një ceremoni familjare, ku u martua djali i tezes së saj. Mes të ftuarve ishte edhe Mateo, duke u shfaqur pranë familjes së saj si partneri i Brikenës.

Prania e tij merr një tjetër rëndësi për shkak të historisë që dyshja ka treguar më herët. Teksa ishin brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ata zbuluan se njiheshin prej rreth katër vitesh, por në atë periudhë marrëdhënia e tyre nuk kishte avancuar, pasi një takim mes tyre nuk ishte realizuar për shkak të ndërhyrjes së familjarëve të Brikenës.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi gjatë qëndrimit të tyre në shtëpinë e reality show-t. Afrimiteti mes tyre u shtua dhe Mateo i kërkoi Brikenës të bëhej e dashura e tij. Dyshja zhvilloi më pas edhe një ceremoni simbolike martese brenda formatit.

Pas përfundimit të programit, marrëdhënia e tyre kaloi sërish nëpër disa momente të vështira, duke nxitur edhe aludime për një ndarje të mundshme.

Por paraqitjet e fundit së bashku duket se kanë qetësuar këto dyshime. Tashmë, Mateo është shfaqur pranë Brikenës edhe në një prej momenteve të rëndësishme familjare të saj, duke treguar se lidhja e tyre vazhdon.