Një fotograf norvegjez priti për orë të tëra në Arktik për të realizuar një fotografi që të jep përshtypjen se po e sheh ariun polar me sytë e presë së tij. Audun Rikardsen ndodhej në akullin detar në veri të Svalbardit, kur vuri re gjurmët e një ariu polar pranë një vrime që përdorej nga fokat për të dalë në sipërfaqe dhe për të marrë frymë.
Duke menduar se grabitqari mund të rikthehej në të njëjtin vend për të kërkuar ushqim, fotografi vendosi të mos e priste me aparatin në dorë. Ai hapi një vrimë tjetër pranë saj dhe vendosi kamerën poshtë akullit, duke e lidhur me një sensor lëvizjeje. Në këtë mënyrë, aparati do të aktivizohej automatikisht nëse një kafshë afrohej.
Pas rreth tetë orësh, ajo që kishte parashikuar ndodhi. Një ari polar u afrua dhe uli kokën drejt vrimës, në kërkim të fokave. Sensori aktivizoi kamerën pikërisht në atë moment dhe fotografoi fytyrën e kafshës nga poshtë akullit. Rezultati është fotografia e titulluar “Icy Window”, ku ariu polar duket sikur po shikon përmes një dritareje të hapur në akull.
Perspektiva është ajo që mund të kishte një fokë teksa ngjitej drejt sipërfaqes për të marrë frymë. BBC raporton se ariu që iu afrua vrimës ishte femër dhe se Rikardsen u desh të priste edhe tetë orë të tjera derisa kafsha të largohej, përpara se të mund të merrte kamerën. Kur pa fotografitë, ai tregoi se reagoi me aq entuziazëm sa mendoi se mund të kishte zgjuar “të gjithë arinjtë polarë për kilometra të tërë”.
“Icy Window” është vlerësuar Highly Commended në kategorinë “Animal Portraits” të konkursit prestigjioz Wildlife Photographer of the Year 2026. Këtë vit juria kishte përpara një numër rekord prej 65,403 fotografish, nga të cilat janë përzgjedhur 100 imazhe.



