Një arratisje e pazakontë ka vënë në alarm autoritetet gjermane, pasi një 35-vjeçar me origjinë serbe ka arritur të largohet nga burgu në mënyrë spektakolare, duke prerë hekurat e qelisë dhe duke përdorur çatinë për të dalë jashtë kompleksit. Arratisja ndodhi në orët e para të së dielës dhe shënon arratisjen e dytë të bujshme nga një burg gjerman brenda pak ditësh.
I dënuari ndodhej në një qeli në katin e tretë të burgut, ndërsa çatia e ndërtesës ndodhej mbi katin e katërt. Sipas autoriteteve gjermane, 35-vjeçari preu një prej hekurave të dritares së qelisë, e cila kishte pamje nga oborri i brendshëm, dhe më pas arriti të hapte dritaren. Për të krijuar një hapësirë të mjaftueshme për të dalë, ai përdori edhe tavolinën e qelisë si levë për të shtyrë grilën mbrojtëse të brendshme.
Pasi doli nga qelia, i burgosuri u ngjit në fasadën e ndërtesës dhe arriti në çati, megjithëse mënyra se si e realizoi këtë pjesë të arratisjes ende nuk është bërë e ditur. Nga çatia, ai zbriti në pjesën e jashtme të burgut dhe u largua pa u pikasur. Gjatë kontrollit të mëvonshëm të qelisë, autoritetet zbuluan edhe një hapësirë të fshehtë nën dysheme, ku 35-vjeçari kishte mbajtur mjetet e përdorura për prerjen e hekurave dhe arratisjen.
Policia ka nisur kërkimet për kapjen e tij. Sipas përshkrimit të bërë publik, ai është rreth 1.75 metra i gjatë, me trup të dobët dhe ka një tatuazh në formën e fytyrës së një gruaje në krahun e djathtë. I arratisuri ndodhej në paraburgim që prej 10 shkurtit, nën akuzën për vjedhje. Në fund të majit, ai u dënua me gjashtë vite burg për dy vjedhje që shkaktuan dëme të konsiderueshme financiare, por vendimi ende nuk është përfundimtar.



