Një modele ruse, e cila ishte zhdukur gjatë pushimeve në Beograd, është gjetur e pajetë e future brenda një valixheje të hedhur në një kanal. Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik në Serbi.
Mediat e huaja shkurjanë se viktima është 28-vjeçarja Lyudmila Turkova, nga Shën Petersburgu. Ajo kishte humbur kontaktet për gjashtë ditë pasi kishte dalë për të takuar disa miq në një klub nate në kryeqytetin serb.
Trupi i saj u zbulua në kanalin Vizelj, pasi banorë të zonës vunë re një objekt të dyshimtë në ujë dhe njoftuan policinë. Forcat e rendit përdorën një qen kërkimi, i cili ndihmoi në gjetjen e mbetjeve.
Policia serbe nuk ka bërë ende publike mënyrën se si është kryer vrasja, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, e cila do të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Autoritetet vendase kanë arrestuar një shtetas turk, i identifikuar me inicialet K.E., i cili u ndalua në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit teksa dyshohet se po përpiqej të largohej nga vendi.
Ministria e Brendshme e Serbisë bëri të ditur se një shtetas turk i lindur në vitin 2001 është ndaluar nën dyshimin për vrasjen e modeles. Hetuesit dyshojnë se krimi ka ndodhur në orët e para të 26 korrikut, në një apartament me qira në zonën Borça të Beogradit.
Lyudmila Turkova kishte udhëtuar në Serbi për një pushim dyjavor. Pas zhdukjes së saj më 25 korrik, familjarët ngritën alarmin pasi ajo kishte dërguar një mesazh të fundit rreth orës 23:00 dhe më pas nuk kishte dhënë më asnjë shenjë jete.







