Lidhja e futbollistit të famshëm, Lamine Yamal, me influencuesen Ines Garcia, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave rozë, ndërsa fansat janë gjithnjë e më kuriozë të dinë më shumë për vajzën që po i qëndron pranë yllit të ri të futbollit.

Ines Garcia është një influencuese spanjolle e njohur për përmbajtjen që publikon në rrjetet sociale, ku fokusohet te moda, bukuria, kujdesi për lëkurën dhe udhëtimet. Me miliona ndjekës në “Instagram” dhe “TikTok”, ajo ka krijuar prej vitesh një komunitet të madh online, por fama e saj është rritur edhe më shumë pas konfirmimit të romancës me Yamalin.

Së fundmi, Garcia vendosi t’u japë fund spekulimeve rreth mënyrës se si u njoh me futbollistin. Ajo mohoi historinë që ishte përhapur gjerësisht në rrjetet sociale, sipas së cilës Yamal e kishte ndihmuar në një dyqan pasi kartela e saj bankare nuk funksiononte.

Në një video të publikuar në “TikTok”, të cilën më vonë e fshiu, influencuesja tregoi se e vërteta është shumë më e thjeshtë.

“Do të doja të ishte një histori e pazakontë, por në fakt jemi njohur përmes rrjeteve sociale”.

Garcia zbuloi gjithashtu se njohja mes tyre nuk është e re. Sipas saj, ajo dhe futbollisti njihen prej rreth tre vitesh, megjithëse vetëm muajt e fundit vendosën ta bënin publike marrëdhënien e tyre.

Dyshimet për romancën nisën pas disa daljeve të përbashkëta, mes tyre edhe një pushim në Greqi, ndërsa gjatë Kupës së Botës 2026, Garcia udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara për të qenë pranë Yamalit dhe për ta mbështetur nga tribunat, edhe pse ka pranuar më herët se ka frikë nga udhëtimet me avion.

Në rrjetet sociale ajo ndau fotografi nga stadiumet dhe i dedikoi futbollistit mesazhe romantike, duke e quajtur në një prej postimeve “dashuria ime”, gjë që i dha fund çdo dyshimi për lidhjen e tyre.

Në një intervistë të dhënë më herët për revistën “Woman Madame Figaro”, Garcia tregoi se pjesa më e bukur e profesionit të saj si influencuese janë bashkëpunimet me marka dhe mundësia për të udhëtuar e marrë pjesë në evente të ndryshme.

Megjithatë, ajo pranoi se ekspozimi publik sjell edhe anën e tij më të vështirë. Sipas Garcias, kritikat dhe komentet nga persona që nuk e njohin janë sfida më e madhe me të cilën përballet në përditshmëri.