Një influencuese e rrjeteve sociale ka ndërruar jetë pasi u përplas nga një makinë jashtë një klubi nate në Soho.

Ylli i “Instagram” dhe “TikTok”, Klaudia Zakrzewska, po luftonte për jetën në spital pasi ajo dhe dy këmbësorë të tjerë u goditën nga një automjet. “Daily Star” shkruan se tani është konfirmuar se ajo ka vdekur nga plagët e marra.

Një tjetër personalitet i mediave sociale u arrestua në vendngjarje me dyshimin për tentativë vrasjeje, lëndime të rënda trupore, drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe drejtim të automjetit në gjendje të dehur.

Klaudia, e lindur në Poloni, e cila kishte grumbulluar 258,000 ndjekës në “Instagram”, kishte qenë në klubin e natës me miqtë të shtunën në mbrëmje.

Besohet se ajo është përfshirë në një debat të ashpër jashtë lokalit pak para incidentit. Shërbimet e emergjencës u thirrën rreth orës 4:30 të mëngjesit pas raportimeve se një makinë ishte përplasur me këmbësorët.

Pamjet që qarkullojnë në internet duket se tregojnë momentin e tmerrshëm kur një automjet i zi përplaset me një grup njerëzish të mbledhur jashtë klubit. Në fotot, Klaudia shihet e rrëzuar në tokë dhe duke u bllokuar nën makinë, ndërsa kalimtarët nxitojnë për të ndihmuar.