Një yll i famshëm i pop-it ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident të tmerrshëm me makinë, pasi la një koncert që kishte shitur të gjitha biletat.
Është fjala për Izac Bruno Coni Silva, i njohur me emrin e tij artistik Zau O Passaro. Ai u plagos për vdekje kur automjeti me të cilin udhëtonte u përplas me një kamion që nuk po lëvizte, në korsinë e një autostrade kryesore.
27-vjeçari, i cili lë pas gruan dhe dy vajza të vogla, sapo kishte argëtuar një sallë të mbushur plot në Barreiras, Brazil, më 3 maj. Ai gjeti fundin e tij të parakohshëm teksa udhëtonte për në shtëpi, në orët e para të mëngjesit.
Sipas Policisë Federale të Autostradave, aksidenti ndodhi pak pas orës 7 të mëngjesit kur makina, e drejtuar nga një biznesmen dhe që po shkonte drejt Salvadorit, goditi anën e një automjeti të parkuar.
Kamioni, i cili po transportonte televizorë, mbeti i padëmtuar dhe shoferi i shpëtoi lëndimeve. Zau O Passaro mbeti i bllokuar në rrënoja dhe zjarrfikësit u desh ta nxirrnin.
Ai u shpall i vdekur në vendngjarje dhe trupi i tij u zhvendos më vonë në një morg aty pranë për një ekzaminim pas vdekjes.
Tre pasagjerë të tjerë në makinë u plagosën dhe u dërguan me urgjencë në spital. Një i mbijetuar u transferua në një strukturë private dhe mbetet në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerët po marrin trajtim në Spitalin e Përgjithshëm publik Cleriston Andrade, njëri në kujdes intensiv në një gjendje jashtëzakonisht kritike dhe tjetri në një repart të përgjithshëm.
Policia Civile po heton rrethanat e sakta të përplasjes.
Zau O Passaro, i cili banonte në Lauro de Freitas pranë Salvadorit, po përjetonte një rritje të popullaritetit brenda skenës së muzikës pagode, duke grumbulluar 260,000 ndjekës në “Instagram”.
Në mars, ai nënshkroi një kontratë të re regjistrimi me Som Music, siç raportohet nga NeedToKnow.
Producenti Jadson Silva zbuloi se familja e këngëtarit është e pikëlluar. “Për ne është shumë e vështirë, gruaja e Izac është shumë keq,” shtoi ai.
Trupi i Zau O Passaro u varros në qytetin e tij të lindjes, Conceiçao do Almeida, më 5 maj.







