Sulmuesi nigerian Victor Osimhen po përballet me probleme ligjore në Itali, pas një padie të ngritur nga konçesionari i Mercedes-Benz. Sipas raportimeve, ish-lojtari i Napolit, aktualisht pjesë e Galatasaray, akuzohet për mospagim të kësteve të leasing për një makinë luksoze, duke krijuar një borxh prej rreth 90 mijë eurosh.
Çështja është depozituar pranë autoriteteve në Milano, ku kompania pretendon se Osimhen jo vetëm nuk ka shlyer një pjesë të konsiderueshme të pagesave për një Mercedes-Benz G-Class, por gjithashtu nuk e ka kthyer automjetin pas përfundimit të kontratës. Akuza që rëndon mbi futbollistin është ajo e përvetësimit të paligjshëm, ndërsa pritet që rasti të shqyrtohet nga drejtësia italiane.
Pavarësisht këtij problemi financiar, Osimhen vazhdon të shfaqë një stil jetese luksoz. Ai është parë së fundmi në Stamboll duke drejtuar një Lamborghini Revuelto, një makinë që kushton mbi 500 mijë euro. Koleksioni i tij i makinave përfshin edhe modele të tjera të njohura me një vlerë totale që shkon në mbi 2,3 milionë euro.
Bëhet fjalë për një Lamborghini Aventador me vlerë një million euro, Lamborghini Urus që kushton 356 mijë euro dhe një Rolls-Royce Cullinan, e cila vlerësohet në 800 mijë euro. Këtyre u shtohet edhe Mercedes-Benz G-Class me vlerë 150 mijë euro. I njohur për shpejtësinë dhe fuqinë në fushë, Osimhen tani duhet të përballet me një sfidë tjetër, atë ligjore. Pas mbrojtësve të Serie A, këtë herë janë gjykatat italiane që do të vendosin ta frenojnë.



