George Desmond Kamurasi, kapiten dhe portier i ekipit “SE Dons” që militon në kategorinë e nëntë të futbollit anglez në Crayford ka refuzuar fronin e Mbretërisë Tooro të Ugandës, duke cilësuar si prioritare karrierën e tij si futbollist. 36-vjeçari ishte zgjedhur nga një komitet mbretëror prej 21 anëtarësh si kandidati i preferuar për të pasuar kushëririn e tij, Mbretin Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV.

15 nga 18 anëtarët që morën pjesë në votim e mbështetën atë, por Kamurasi tha jo, duke përmendur përgjegjësi të tjera. Në traditën e Tooro-s, refuzimi i fronit pasi dikush është zgjedhur zyrtarisht konsiderohet ofendim, ndaj kjo shkaktoi një betejë për trashëgiminë që degradoi në një përplasje të hapur para funeralit të Mbretit Oyo.

Kamurasi nuk ka komentuar publikisht mbi vendimin e tij, por raportet në mediat ugandeze sugjerojnë se ai hezitonte të largohej nga Londra. Ai ka lidhje familjare në Angli dhe duhej të luante në një raund kualifikues të “FA Vase” pikërisht në fundjavën kur mbahej funerali i Oyo-s. Më pas, komiteti iu drejtua Princit Edward Rukidi Kijanangoma, një prezantues lajmesh dhe redaktor në transmetuesin publik të Ugandës, UBC, i cili mori fronin në vend të Kamurasit. Mbreti Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV, i cili u ngjit në fron në moshën tre vjeçare dhe drejtoi Mbretërinë Tooro për 31 vjet, vdiq së fundmi në moshën 34-vjeçare ndërsa po trajtohej për kancerin në SHBA.