Misteri i vdekjes misterioze të një gruaje italiane dhe vajzës së saj duket se ka marrë një kthesë tronditëse. Vdekja tragjike e Antonella Di Ielsi (50 vjeçe) dhe vajzës së saj Sara Di Vita (15 vjeçe), që humbën jetën dhjetorin e kaluar në fshatin e vogël të Molise-s, mund të mos ketë qenë një helmim aksidental, por dora e pamëshirshme e një gruaje misterioze “me mendje djallëzore”, siç raporton ndër të tjera Tgcom24 për rastin, duke folur për hipotezën e fundit shqetësuese që po shqyrtohet nga hetuesit.

Kjo ka shtyrë Prokurorinë e Larino-s të hapë një dosje për vrasje të dyfishtë me paramendim dhe me rrethana rënduese. Nëse deri dje dyshimet ishin përqendruar tek rrethi shumë i afërt familjar, sot vëmendja e hetuesve është zgjeruar drejt një figure të jashtme. Një grua e ftohtë dhe e pamëshirshme, që do të njihte në mënyrë perfekte zakonet e familjes, si edhe dozat, efektet dhe kohën e veprimit të ricinës.

Dyshimi është se ajo mund ta ketë kontaminuar ushqimin duke përfituar nga rrëmuja gjatë darkës së mbushur me njerëz në vigjiljen e Krishtlindjes. Ndërkohë që teknikët po analizojnë bisedat dhe rrjetet sociale në pajisjet e sekuestruara në shtëpinë që është kthyer në skenë krimi, ndërsa merret sërish në pyetje babai, i vetmi të cilit ende nuk i është sekuestruar telefoni celular. “Ne e kemi vënë në dispozicion”, ka sqaruar megjithatë avokati i tij.

Paralelisht, hetimi po përshpejtohet në aspektin shkencor. Prokurorja Elvira Antonelli ka forcuar hetimet duke urdhëruar një ekspertizë të re teknike të papërsëritshme dhe duke zgjeruar grupin e ekspertëve. Detyra zyrtare do t’i besohet profesor Carlo Locatelli-t, drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Helmeve në Pavia (i cili ishte i pari që izoloi ricinën në gjakun e viktimave). Hetuesit do të duhet të sigurojnë provat shkencore përfundimtare për të identifikuar vrasësin, në një enigmë që po trondit Molise-n she jo vetëm.