Një martesë e planifikuar në Mugello të Firences është pezulluar nga Gjykata e Firences, pasi janë ngritur dyshime mbi gjendjen mendore të një 86-vjeçari dhe qëllimet e gruas me të cilën ai kishte vendosur të martohej. Në qendër të çështjes është një burrë 86-vjeçar, i cili kishte pak kohë që kishte mbetur i ve dhe kishte shprehur para familjarëve dëshirën për t’u martuar sërish me një grua me origjinë shqiptare, rreth 35 vite më të re.
Çifti ishte paraqitur në muajin prill në zyrat e gjendjes civile për të nisur procedurat e martesës. Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan disa elemente që kërkonin hetime të mëtejshme. Sipas raportimeve të mediave italiane, 86-vjeçari ishte shfaqur para familjarëve dhe zyrtarëve në një gjendje konfuzioni dhe nuk kishte qenë në gjendje të shpjegonte qartë arsyet e vendimit për t’u martuar. Dyshime të tjera u ngritën pasi ai i kishte dhënë gruas shuma të konsiderueshme parash.
Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe firma në kërkesën për publikimin e martesës, ku ishte zgjedhur regjimi i bashkësisë së pasurisë. I moshuari e kishte mohuar se firma ishte e tij, ndërsa ajo rezultonte e ndryshme nga një firmë tjetër të vendosur më parë përpara zyrtarit të gjendjes civile. Dokumentet e mbledhura ngritën gjithashtu pikëpyetje mbi njohuritë që 86-vjeçari kishte për pasurinë e tij të paluajtshme.
Pas këtyre dyshimeve, Gjykata dhe më pas Prokuroria e Firences urdhëruan pezullimin e menjëhershëm të martesës. Ndërkohë, Prokuroria ka hapur një hetim për “përfitim nga paaftësia e një personi”, ku 86-vjeçari konsiderohet personi i dëmtuar. Hetimet do të përcaktojnë nëse ai është ndikuar apo shfrytëzuar në vendimet e tij.



