Zbulime rrëqethëse janë bërë gjatë procesit gjyqësor për vdekjen e 4-vjeçares China Record, një ngjarje e ndodhur në Baton Rouge, që ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas prokurorëve, vogëlushja u detyrua nga gjyshja e saj 57-vjeçare, Roxanne, të konsumonte një shishe uiski 750 ml si formë ndëshkimi, pasi kishte pirë një gllënjkë nga gota e saj. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në prill të vitit 2022, ndërsa nëna e fëmijës raportohet se ishte e pranishme dhe nuk ndërhyri.

Mjekët e gjetën vajzën pa ndjenja në banesën e familjes, ndërsa autopsia zbuloi një nivel alkooli në gjak prej 0.680, më shumë se tetë herë mbi kufirin ligjor për një të rritur.

Prokuroria përshkroi një “model mizorie” brenda familjes, duke theksuar se fëmija trajtohej ndryshe nga të tjerët dhe se edhe vëllezërit e motrat ishin mësuar të besonin se ajo “vidhte” kur kërkonte ushqim apo ujë. Ndihmësprokurorja deklaroi në gjyq se gjyshja “kurrë nuk e pëlqeu dhe e trajtonte ndryshe nga fëmijët e tjerë”, duke shtuar se ajo vijoi rutinën e përditshme ndërsa gjendja e vajzës përkeqësohej.

Fillimisht e akuzuar për vrasje, gjyshja u shpall fajtore nga juria për vrasje të paqëllimshme. Ndërkohë, nëna e fëmijës përballet gjithashtu me akuza për shkak të mosveprimit për të ndaluar abuzimin dhe pritet të dalë në gjyq në një datë të mëvonshme.