Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në një fermë në Uellsin e Ri Jugor të Australisë, ku hajdutët kanë arritur të marrin rreth 400 mijë midhje. Midhjet ishin vendosur në më shumë se 300 thasë dhe vlera e tyre totale llogaritet në mbi 214 mijë euro.
Përmasat e grabitjes kanë vështirësuar edhe hetimin, pasi për transportimin e një sasie kaq të madhe duhet të jenë përdorur mjete dhe të ketë pasur disa persona të përfshirë. Autoritetet po analizojnë të dhënat në dispozicion për të zbuluar se si është realizuar vjedhja dhe kush qëndron pas saj.
Policia u ka bërë thirrje banorëve të zonës dhe kujtdo që mund të ketë parë lëvizje të dyshimta pranë fermës që të japë informacion. Hetuesit shpresojnë që dëshmitë e qytetarëve të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Vjedhja mund të ketë pasoja të konsiderueshme për prodhuesin, veçanërisht për shkak të periudhës kur është kryer. Në Australi, kërkesa për midhje rritet ndjeshëm gjatë festave të fundvitit, kur ato konsumohen në restorante dhe tryeza familjare.
Për këtë arsye, një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që grabitësit të kenë synuar rishitjen e tyre në treg, kur çmimi dhe kërkesa për prodhimet e detit janë më të larta. Deri tani nuk ka të arrestuar dhe policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të një prej vjedhjeve më të pazakonta të raportuara në këtë zonë të Australisë.



