Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malishevën, ku një 25-vjeçare, shtatzënë në javën e 34-të, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, bashkëshorti i viktimës dyshohet si autor i ngjarjes. Edhe ai ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Viktima, Jetlira Foniqi, ishte transportuar në QKUK, por pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor dhe masave reanimatore, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti është regjistruar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vijon hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të siguruar provat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e saj./KosovaPress