Një gjykatë italiane ka marrë një vendim që po konsiderohet historik, duke njohur ligjërisht tre prindër për një fëmijë 4-vjeçar. Bëhet fjalë për dy burra dhe një grua, të cilët tashmë do të figurojnë të tre si prindër ligjorë të të miturit. Rasti ka ndezur debat të fortë në Itali, sidomos mes grupeve konservatore dhe organizatave katolike, të cilat kanë kundërshtuar hapur vendimin.

Sipas mediave italiane, fëmija ka lindur në Gjermani dhe jeton atje me një çift burrash të martuar. Njëri prej tyre është babai biologjik, ndërsa gruaja që ndihmoi në ardhjen në jetë të fëmijës njihet gjithashtu si nëna ligjore.

Burri tjetër, me shtetësi italiane dhe gjermane, kishte përfunduar më herët procedurat e birësimit në Gjermani dhe kërkoi që ky status të pranohej edhe nga shteti italian. Autoritetet lokale në Itali e refuzuan fillimisht kërkesën, pasi dyshuan për përdorim të nënës surrogate praktikë që qeveria aktuale italiane e konsideron të paligjshme edhe kur realizohet jashtë vendit.

Por Gjykata e Apelit në Bari vendosi ndryshe, duke theksuar se nuk ekzistonin prova për një marrëveshje surrogate dhe se në këtë rast bëhej fjalë për tre persona që kishin rol aktiv dhe të njohur në jetën e fëmijës. Vendimi tashmë ka marrë formë përfundimtare dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm për njohjen e modeleve të reja familjare në Itali, duke e afruar vendin me legjislacionin gjerman në raste të ngjashme.

Avokatja Pasqua Manfredi, që përfaqëson një nga baballarët, deklaroi se çështja nuk lidhet me zëvendësimin e nënës, por me dëshirën e tre të rriturve për t’u njohur ligjërisht si prindër të fëmijës. Vendimi vjen në një moment simbolik, pasi Italia po shënon 10-vjetorin e njohjes së partneriteteve civile për çiftet e të njëjtit seks. Ndërkohë, organizata konservatore “Pro Vita & Famiglia” e kritikoi ashpër këtë zhvillim, duke e quajtur një ndryshim të rrezikshëm të konceptit tradicional të familjes.