Njëri nga ata që është cilësuar si “babai i parë homoseksual i Britanisë” dhe bashkëshorti i tij janë akuzuar për 18 vepra të tjera penale, përfshirë përdhunim dhe pagesë për shërbime seksuale nga një i mitur. Ylli i televizioneve, Barrie Drewitt-Barlow, 57 vjeç, dhe partneri i tij, Scott Hutchinson, 32 vjeç, u arrestuan pasi policia zhvilloi një operacion në rezidencën e tyre luksoze muajin e kaluar. Ata dolën sot para Gjykatës së Kurorës në Chelmsford, të akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë përdhunim, sulm seksual dhe trafikim në kuadër të skllavërisë moderne për qëllime shfrytëzimi seksual.
Veprat e pretenduara, që sipas akuzës kanë ndodhur në Essex dhe Manchester ndërmjet prillit 2013 dhe janarit të këtij viti, lidhen me katër burra të ndryshëm. Kur u paraqitën para gjykatës sot, atyre nuk iu kërkua të deklaronin nëse i pranonin apo jo akuzat. Ata u lanë në paraburgim deri në një seancë tjetër më 7 shtator, kur do t’u kërkohet të japin deklarimin e tyre. Përpara paraqitjes në gjykatë, policia e Essex-it njoftoi se çifti ishte akuzuar edhe për 18 vepra të tjera të dyshuara penale.
Policia njoftoi se Barrie Drewitt-Barlow është akuzuar gjithashtu për 15 vepra të tjera penale të pretenduara. Këto përfshijnë: dy akuza për aktivitet seksual me një të mitur; dy akuza për pagesë për shërbime seksuale nga një i mitur; pesë akuza për përdhunim; katër akuza për sulm seksual; detyrimin e një personi të përfshihet në aktivitet seksual pa pëlqimin e tij; nxitjen ose shtyrjen e aktivitetit seksual.
Ndërkohë, Scott Hutchinson është akuzuar gjithashtu për dy raste përdhunimi dhe një akuzë për nxitje ose shtyrje të aktivitetit seksual. Prokurorja Louise Oakley KC deklaroi se gjyqi i tyre pritet të nisë më 18 janar 2027 dhe se parashikohet të zgjasë nga tetë deri në dhjetë javë. Një gjykatë dëgjoi më herët se çifti dyshohet se “rekrutonte” të rinj, më pas i manipulonte dhe i nënshtronte ndaj abuzimeve seksuale, përfshirë përdhunimin. Prokurorja Serena Berry i përshkroi të dy si “persona që mund të konsiderohen të famshëm, të cilët jetojnë një stil jete prej shumë milionë paundësh dhe kanë marrë pjesë në shumë dokumentarë dhe emisione reality”. Ajo tha gjithashtu se ata zotërojnë klubin e futbollit Maldon & Tiptree FC, si dhe biznese të tjera në zonën e Essex-it dhe jashtë vendit.
Prokurorja shtoi: “Pretendohet se ata kanë shënjestruar të rinj meshkuj, i kanë rekrutuar, janë miqësuar me ta dhe i kanë manipuluar. Më pas i kanë ftuar në shtëpinë e tyre dhe në ambiente të tjera.” Barrie Drewitt-Barlow ishte akuzuar për: tre raste sulmi seksual ndaj një mashkulli; katër raste përdhunimi ndaj një burri 16 vjeç ose më të madh; dy raste të organizimit ose lehtësimit të udhëtimit të një personi tjetër me qëllim shfrytëzimin. Ndërsa Scott Drewitt-Barlow ishte akuzuar për: një rast sulmi seksual ndaj një mashkulli; një rast përdhunimi ndaj një burri 16 vjeç ose më të madh; dy raste të organizimit ose lehtësimit të udhëtimit të një personi tjetër me qëllim shfrytëzimin. Avokati mbrojtës Oliver Snodin deklaroi se akuzat ndaj çiftit “mohohen me forcë” nga të dy.
Drewitt-Barlow bleu klubin joprofesionist Maldon & Tiptree FC në shkurt 2022 dhe ishte planifikuar të ishte protagonist i një dokumentari të ri të ITV-së për klubin. Barrie bëri histori së bashku me ish-partnerin e tij, Tony Drewitt-Barlow, kur në vitin 1999 u bënë të njohur si “baballarët e parë homoseksualë të Britanisë” të binjakëve Saffron dhe Aspen. Atëherë, në certifikatat e lindjes u lejua që të figuronin dy prindër të të njëjtit seks si “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, në vend të “nënë” dhe “baba”.
Binjakët u konceptuan duke përdorur vezët e dhuruara nga një grua, Tracie McCune, ndërsa shtatzënia u mbajt nga një grua tjetër, Rosalind Bellany. Edhe pse Barrie dhe Tony u bënë secili baba biologjik i njërit prej fëmijëve, ata nuk kanë treguar kurrë publikisht se cili prej tyre është babai biologjik i cilit binjak. Çifti u nda në vitin 2019, pasi Barrie konfirmoi se ishte lidhur me Scott-in, ish-partnerin e vajzës së tij Saffron.



