Pasuritë e personazheve të famshëm vijojnë të tërheqin interes, ndërsa një publikim i TradingBlvd ka renditur disa prej emrave më të njohur të muzikës dhe televizionit, duke dhënë vlerësime për pasurinë e tyre neto. Në krye të listës së publikuar qëndron Julio Iglesias, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 600 milionë dollarë. Këngëtari spanjoll ka shitur mbi 300 milionë disqe gjatë karrierës së tij dhe, sipas artikullit, zotëron gjithashtu një portofol të gjerë pronash me vlerë mbi 300 milionë dollarë.

Adriano Celentano renditet me një pasuri të vlerësuar në rreth 50 milionë dollarë. Këngëtari dhe aktori italian ka pasur një karrierë të gjatë në muzikë dhe kinema, duke interpretuar në më shumë se 40 filma. Rita Pavone, një tjetër emër historik i muzikës italiane, raportohet me një pasuri prej rreth 23 milionë eurosh. Ajo jeton prej vitesh në Zvicër së bashku me bashkëshortin Teddy Reno.

Pasuria e Raffaella Carrà, një prej figurave më të njohura të televizionit dhe muzikës italiane, vlerësohej në rreth 10 milionë dollarë. Carrà, e cila u nda nga jeta në vitin 2021, pati një karrierë të suksesshme jo vetëm në Itali, por edhe në Amerikën Latine dhe vende të tjera europiane. Edhe prezantuesja Mara Venier përfshihet në listë me një pasuri të vlerësuar në rreth 10 milionë euro. Sipas të njëjtit publikim, shpërblimi i saj për drejtimin e një sezoni të emisionit “Domenica In” arrin rreth 600 mijë euro.